Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari theksoi sot se, “në të gjithë vendin, por konkretisht në Kuçovë dhe Rrogozhinë, e provuar me fakte, treghet qartë që 14 maji ka qenë një ditë ku institucionet shtetërore, strukturat kriminale të drejtuara drejtpërdrejtë nga Edi Rama dhe zyrtarët e tij kanë ndërhyrë në proces”.

 

Në një deklaratë për shtyp, Braimllari tha se, “të gjithë shqiptarët po shohin qartë që Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve është kthyer në një institucion varësie të kryeministrit, ku çdo vendim e merr në shërbim të tij”.

 

Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi ka publikuar shkelje shumë të rënda në të gjithë procesin e zgjedhjeve që ndikojnë drejtpërdrejtë në rezultat dhe këto nuk janë marrë në shqyrtim nga KAS”.

 

“Janë më shumë se 700 video që tregojnë qartë manipulimin e zgjedhjeve në Kuçovë ku shihet sesi komisionerë të Rilindjes votojnë disa herë. Duket qartë, votimi në grup. Vihet re, bllokimi i kamerave në Qendrat e Votimit. Të gjitha këto fakte nuk janë marrë në shqyrtim nga KAS dhe si gjithmonë KAS voton politikisht në shërbim të Rilindjes”, nënvizoi ai.

 

Nënkryetari i Partisë së Lirisë u shpreh se, “në Bashkinë e Rrogozhinës, ku kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’, Shkëlqim Hoxha dukshëm ishte fitues në të gjitha kutitë dhe duhej vetëm kutia e votimit në burgun e Rrogozhinës për të përmbysur rezultatin”.

 

“Në emër të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ e kemi denoncuar këtë manipulim shumë kohë më parë se Kolegji Zgjedhor të merrte një vendim dhe nuk pati asnjë reagim duke lejuar me porosi të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, masakrën në Rrogozhinë. I bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë, SPAK-ut në veçanti që nuk ka arsye të heshtë. Tani që ka pavlefshmëri të kutisë së burgut të Rrogozhinës duhet të kishte nisur hetimin për zyrtarët e lartë në këtë manipulim”, tha Braimllari.