Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, në fjalën e saj në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, tha se Shqipëria ka numrin më të lartë të të burgosurve për frymë banori.

Sipas Ballancës, problem mbetet fakti që në vendin tonë jepet në shumë raste masa më e ashpër e sigurisë, ajo e arrestit me burg.

Erinda Ballanca: Në Shqipëri ka numër të lartë të të paraburgosurve. Kemi numër tmerrësisht të lartë të paraburgimit. Këshilli i Europës thekson se personat që janë dënuar me burg përjetë nuk kanë shpresë që nëse sillen mirë, do të mund të dalin ndonjë ditë nga burgu. Çështjet e të drejtave të njeriut duhet të avancojnë në Shqipëri.

Samir Korreshi: Të burgosurit duhet që të kenë më shumë kohë që të takojnë të afërmit e tyre. Edhe shoqërimet e protestuesve nuk duhet të jenë kaq të dhunshme. Edhe kur dikush kapet se ka vrarë, nuk torturohet aq sa protestuesi. Besoj se kjo gjë duhet të hetohet. Edhe për LGBT, ligji funksionon ndryshe për ta? Sepse nëse ne dalim pa brekë në pazar nuk na lejohet. Atyre çfarë s’po ju lejohet. Shqetësuese për mua është si lejoni që dy vajza puthen në TV në mes të ditës, kur kemi fëmijë nëpër shtëpi e na thonë si puthen dy gra me njëra-tjetrën.

Dhurata Çupi: Do të doja t’i referohesha raporteve të Këshillit të Europës, të Komitetit për parandalimin e Torturës në KiE. Kushtet e strehimit në disa burgje janë të papërshtatshme me mbipopullim dhe në mungesë të higjenës. Keqtrajtimi fizik dhe psikologjik i të burgosurve nga stafi i burgut ose nga të burgosur të tjerë. Shërbimet shëndetësore të pamjaftueshme dhe me mungesë të stafit mjekësor dhe të pajisjeve të nevojshme. Programet e rehabilitimit dhe të edukimit për të burgosurit janë të kufizuara duke reduktuar mundësitë për integrimin e tyre në shoqëri pas lirimit. Kushtet e sigurisë kanë nevojë për pëmirësimin e masave të sigurisë për të mbrojtur të burgosurit nga dhuna dhe kërcënimet e brendshme. Lexova këto 5 që janë problematika që i hasim në burgje. Ju si institucion i keni ngritur si shqetësime, por në mënyrë që ne të mos jemi në raporte e CPT në mënyrë të vazhdueshme me këto standarde, duhet ta ngremë si Komision Ligjesh, ju si Avokat i Popullit dhe i bëj thirrje edhe mazhorancës të mos kthejë sytë nga kritikat që bëjmë ne këtu, por të bëhemi të gjithë bashkë për të adresuar këto shqetësime.

Erinda Ballanca: Këto janë gjetje që do të vazhdojnë sepse standardi që ne duam është shumë herë më i lartë se ai që ne kemi. Marrëdhënia mes të burgosurve dhe stafit është e relaksuar dhe pozitive. Por CPT dhe Avokati i Popullit thotë se duhen më shumë aktivitete, të kenë hapësira të lira, jo të mbyllur në dhomat e tyre në qeli, më shumë kushte. Gjithmonë ka vend për përmirësim në lidhje me cilësinë dhe garantimin e kushteve brenda sistemit penicitar. Ne kemi patur një problematikë në paraburgim. Mbipopullimi sot është vetëm në paraburgim. Deri më tash nuk mund të zgjidhej me masa të tjera pasi është në të drejtën apo e vendos vetë burgu që disa seksione që janë burgim t’i kthejë në paraburgim që të akomodojë edhe persona të tjerë. Numri ka kaluar 60% të popullatës së burgjeve që janë të paraburgosur. Ka një problem që takimet me familjarët në paraburgim jepen vetëm me lejen e prokurorit. Në rekomandimet që kemi kryer është që vijon të jetë problematike shpërndarja e burgjeve. Në burgjet me të këqija infrastrukturore, Tepelena psh, kemi mbipopullim. Sepse edhe për shkak të hartës gjyqësore personat do t’i mbash atje, nuk i dërgon në vend tjetër edhe për shkak të hartës gjyqësore. Pastaj, të burgosurit duan të rrinë afër familjeve të tyre për ushqime, për marrjen e asistimeve. Të gjitha çështjet ne i kemi në vëmendje, ne i kemi gjetur edhe vetë si institucion, i kemi trajtuar, pranohet në raportin e CPT puna e mirë që është bërë./BalkanWeb