Spanja do ta marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian nga 1 korriku i vitit 2023. Gjashtëmujori i dytë i këtij viti, pritet të jetë sfidues për rrugën euro-integruese të Kosovës. Mosnjohja e Spanjës dhe zhvillimet e fundit politike në Kosovë, ku janë përmendur edhe vendosja e një sërë masash nga BE-ja, mund të stopojnë procesin integrues të Kosovës. Megjithatë, në Lëvizjen Vetëvendosje, nuk presin që qasja e BE-së ndaj Kosovës të ndryshojë në presidencën e Spanjës.

 

Deputetja e LVV-së, njëherësh anëtare e Komisionit për punë të jashtme dhe diasporë, Fitore Pacolli thotë për KosovaPress se Spanja duhet të ketë qasje të drejt ndaj Kosovës, pavarësisht se nuk e njeh pavarësinë e saj.

 

“Nëse qasja është e drejt karshi secilit shtet që ka aplikuar për anëtarësim në Bashkim Evropian, atëherë qasja duhet të jetë në përputhje me punën që bënë ai shtet. Pra, nëse Kosova po punon aktivisht që të vendos rregull dhe ligj, të forcojë sistemin e drejtësisë, të bëjë atë sa më të pavarur të jetë e mundur dhe të thellojë demokracinë, atëherë nuk ka logjikë që sjellja e Spanjës të jetë ndryshe, pavarësisht se Spanja nuk e njeh Kosovën. Mirëpo, tashmë edhe ka dakordim që Kosova të ecë në proceset tutje drejt Bashkimit Evropian dhe nuk mund të bllokohet në angazhimet e saj. Prapë po themi se varet si do të qasjen Spanja në momentin kur të merr presidencën, por nëse qasja është e drejt karshi secilit shtet, atëherë Kosova është në pozitën më të mirë në rajon që të avancojë tutje në integrimet evropiane”, thotë deputetja e mazhorancës.

 

Skeptike për avancimin e Kosovës në presidencën spanjolle është kryetarja e Komisionit për integrime evropiane, Rrezarta Krasniqi.

 

Deputetja e LDK-së shprehet për KosovaPress se Spanja ka qasje agresive ndaj Kosovës, andaj nga ajo mund të pritet gjithçka, sidomos në polarizimin e tanishëm mes Kosovës dhe BE-së.

 

“Është e pritshme gjithçka nga Spanja, por edhe nga shtetet të tjera (jo njohëse). Ju e dini që Spanja nuk e njeh Kosovën…Ne nuk kemi pa asnjë lobim, pasi kjo qeveri është pa strategji, pa asnjë plan në arenën ndërkombëtare. Unë si kryetare e Komisionit për integrim evropian, çdo herë marrë pjesë në çdo presidencë, edhe kësaj radhe njëra prej kryetarëve të komisionit në Spanjë na ka ftuar të gjithëve, mirëpo takimi jonë është shtyrë për shkak të zgjedhjeve atje. Por, unë ende shpresoj dhe besoj se kryeministri Kurti do të ulet dhe bisedoj me BE-në dhe ShBA-në që mos të marrim sanksione”, shprehet ajo.

 

Në anën tjetër, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dorajet Imeri deklaron se Spanja do të vazhdojë të ketë qëndrim hezitues ndaj Kosovës edhe gjatë udhëheqjes së presidencës së Këshillit të BE-së. Mirëpo, ai shton se nuk mund të ketë ndonjë ndryshim të madh të kursit të BE-së ndaj Kosovës gjatë presidencës së saj.

 

“Spanja është një nga vendet mosnjohëse, madje vazhdon të jetë një nga vendet më kritike për çështjen e pavarësisë së Kosovës. Natyrisht dihet se ajo ka shqetësime të brendshme, por diplomacia kosovare duhet të luajë rolin e saj për të treguar se këto janë dy raste të ndryshme…Spanja do të vazhdojë të ketë qëndrim të saj hezitues, por duke qenë kryesuese e BE-së ajo nuk sillet vetëm si Spanjë, por si politikë e jashtme e BE-së. Prandaj, nuk pres një ndryshim rrënjësor të kursit, por nuk është se pres ndonjë ndryshim të jashtëzakonshëm pozitiv në raport me Kosovën. Natyrisht, qëndrimi i saj do të ndikojë deri në një masë në qëndrimin që do të ketë edhe si presidencë, por këto janë procese të ndara. Megjithatë, ajo do të flasë në emër të BE-së, meqenëse BE-ja s’ka konsensus të madh sa i përket kësaj çështje, nuk pres ndryshim të jashtëzakonshëm të qasjes së BE-së në gjashtë muajt ardhshëm të këtij viti”, thekson ai.

 

Presidencën e Këshillit të BE-së aktualisht e ka Suedia, kurse prej 1 korrikut deri më 31 dhjetor, do ta ketë Spanja.

 

Kosova në dhjetor të vitit 2022 ka dorëzuar aplikacionin në presidencën çeke për marrjen e statusit si vend kandidat për anëtarësim në BE, mirëpo i njëjti ende nuk është shqyrtuar.

 

Për shkak të mosplotësimit të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare për depërshkallzimin e situatës në veri, Bashkimin Evropian ka paralajmëruar se do të marrë masa ndëshkuese ndaj Kosovës./KosovaPress/