Në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit është përuruar shërbimi më i ri i Kardiologjisë Intervente.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në këtë ngjarje mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia si dhe ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.

Shërbimi i cili filloi nga sot dhe që u cilësua jetik nga kryeministri Kurti, u funksionalizua falë bashkëpunimit të Qeverisë së Luksemburgut e cila ka ndarë 2 milionë euro, dhe Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) me investim që kap vlerën rreth 1 milion euro.

"Tash shërbimi i ri do të mbulojë të gjithë rajonin e Prizrenit, do të ndihmojë të shpëtojë jetë dhe ta ulë listën e pritjes. Fillimisht, shërbimi do të trajtojë pacientët nga lista e pritjes së rajonit të Prizrenit ndërkaq rastet akute do të trajtohen menjëherë", deklaroi Kurti duke shtusr se ky investim përfshin të gjitha pajisjet e nevojshme mjekësore, inventarin dhe trajnimet profesionale për stafin brenda dhe jashtë Kosovës.

Krahas reduktimit të kohës së pritjes së pacientëve, pritshmëritë për rezultatet nga ky investim janë edhe shërbimet me cilësi të lartë e me kosto minimale për qytetarët, derisa pritet që shërbimi të ketë ndikim edhe në uljen e shkallës së vdekshmërisë në rajonin e Prizrenit.

Kryeministri Kurti vlerësoi se zgjerimi i këtij shërbimi është i domosdoshëm jo vetëm për shkak të rritjes së numrit të rasteve, por edhe meqenëse suksesi varet shumë nga koha e ndërhyrjes.

"Në vitin 2023 kemi pas performancë rekorde. Kemi pasur në shërbimin tonë të Kardiologjisë mbi 4.100 procedura të kryera, përfshirë këtu 2.500 vendosje stentesh. Ndërkaq, 4 vjet më parë, në vitin 2019 ishin 3.300 procedura dhe mbi 1.700 vendosje stentesh", theksoi Kurti.

Ai falënderoi Qeverinë e Luksemburgut dhe personelin shëndetësor, derisa i uroi të gjithë për inaugurimin e sotëm.

Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, Narqize Arenliu Hoxhaj tha se dita e sotme është një ngjarje me rëndësi të veçantë sepse ky shërbim ofron mundësi që të shpëtohen jetë, pasi që reagimi adekuat dhe i shpejt është i rëndësishme në emergjencat kardiake.

Duke theksuar se kujdesi shëndetësor është e drejtë fundamentale e njeriut, Ambasadori i Luksemburgut, Eric Dietz deklaroi se Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit është një dëshmi e përpjekjeve të përbashkëta dhe bashkëpunimit drejt qëllimit për të krijuar spitale dhe infrastrukturë moderne./aa