SPAK zbarkoi këtë të hënë në ambientet e Bashkisë së Kukësit ku sekuestroi serverin e kamerave të sigurisë por edhe dokumente të ndryshme, në kuadër të hetimit të nisur për ish-kryetarin e kësaj bashkie Safet Gjici.
Gjici, u përfshi në skandal, pas publikimit të një videoje ku ai shfaqet duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua në zyrën e tij.
Burime për News 24 bënë me dije se oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit qëndruan për afro 30 minuta në Bashki dhe pasi morën kontakt me punonjësin e IT-së, bënë sekuestrimin e serverit.
Kjo lëvizje e SPAK ka patur si qëllim për të verifikuar hyrje daljet në institucion të gruas që shfaqet në video intime me Gjicin, si dhe personat që mund të kenë patur kontakt me të. Në këtë mënyrë, SPAK do të mund të përcaktojë kohën e realizimit të videos, ndonëse materiali filmik shënon data 6 qershor ora 16.00. Po sipas News 24 janë marrë edhe disa dosje për të verifikuar nëse gruaja ka paraqitur ndonjë projekt pranë bashkisë dhe nëse është miratuar ose jo.
Nga ana tjetër, SPAK e ka identifikuar gruan, e cila banon bashkë me fëmijën ne moshë të mitur në Durrës, dhe ka urdhëruar që ajo nuk duhet të lërë vendin, pra nuk do të lejohet të udhëtojë, për sa kohë që rrëfimi i saj është kyç për hetimin.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme nisi hetimet për Gjicin për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” .