Fermerët e Poliçanit e kanë kthyer fshatin Hoxhaj në një nga zonat më të rëndësishme të vendit për furnizimin me prodhime me cilësi të lartë për tregun vendas, por edhe për eksport.
Në një postim në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama u shpreh se ” falë subvencionit të përfituar nga AZHBR fermerët kanë investuar në sera të mbjella kryesisht me perime të stinës, të destinuara jo vetëm për tregun vendas, por dhe për tregjet e certifikuara të Europës”.
“Fshati Hoxhaj është kthyer në një shembull frymëzimi i shumë të rinjve fermerë, të cilët kanë vijuar traditën e hershme familjare të plantacioneve bujqësore, duke investuar për të ardhmen e tyre pikërisht në vendlindje”, tha Rama.
Dy ditë më parë ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca zhvilloi një vizitë në fshatin Hoxhaj, Poliçan, ku së bashku me kryetarin e bashkisë, Adriatik Zotkaj, iu bashkuan për një bisedë fermerëve që prodhojnë e punojnë duke zgjeruar hartën e sipërfaqes me serra në prodhimin e perimeve të freskëta.
Krifca tha se “prodhimi bujqësor këtu është një burim shumë i mirë furnizimi edhe për agroturizmet, që po shtohen në këtë rajon”.
Në fshatin Hoxhaj sipërfaqe të tëra toke janë mbuluar me serra të standardeve më të mira.