Numri i shqiptarëve që kanë mbërritur me gomone në Britaninë e Madhe është dyfishuar brenda një jave.

 

Kështu shkruan gazeta Daily Mail. Sipas saj, kjo tregon se numri i gomoneve kishte rënë ndjeshëm për shkak të motit të ftohtë.

 

Gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, vetëm 151 shqiptarë mbërritën me gomone në Britaninë e Madhe, sipas të dhënave.

 

Por vetëm javën e kaluar, ky numër ka shkuar në 300. Më shumë se 150 emigrantë shqiptarë mbërritën brenda shtatë ditëve, shkruan gazeta.

 

Sipas Daily Mail, ky fluks pritet të alarmojë kryeministrin Rishi Sunak, i cili vetëm dy javë më parë kishte deklaruar se plani i tij kundër emigracionit ilegal po funksiononte.

 

Megjithatë, mbërritjet me gomone këtë vit janë vetëm 10 përqind më pak se vitin e kaluar.

 

Në total bëhet fjalë për 10.472 të mbërritur me gomone nga 11.662 që ishin vitin e kaluar.

 

Nga 45.700 persona që mbërritën me gomone një vit më parë, 12.301 ishin shqiptarë, duke shënuar kështu kombësinë më të madhe.