Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, ka vizituar të martën tre policët e arrestuar ditë më parë nga autoritetet e Kosovës.

 

Kurti thotë se në momentin e rrëmbimit tre policët kanë qenë duke ngrënë drekën, kur 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar dhe rrëmbyer.

 

“Përshkrimi se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë. Ata thonë se në momentin e rrëmbimit kanë qenë te tryeza e improvizuar, kanë qenë duke ngrënë drekë. Së bashku, kur 15 persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë, kur pyeten ndaras nga ambasadori ynë Jetish Jashari”, tha Kurti.

 

Në një konferencë për media me gazetarë, bashkë me ministren e Jashtme Donika Gërvalla, Kurti thotë se rrëmbimi i policëve ka qenë hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës.

 

Sipas Kurtit, Serbia “me këto akte agresioni” synon destabilizim në Kosovë.

 

Zyrtarët policorë të Kosovës janë arrestuar nga autoritetet serbe më 14 qershor. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për lirimin e tyre, pa kushte.

 

Këto zhvillime pasojnë tensionet në veri të Kosovës prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të banuara me shumicë serbe kanë hyrë në ndërtesat komunale, me ndihmën e njësiteve të Policisë së Kosovës.