I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

 

Gjatë diskutimit ata janë ndalur tek themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ku thonë se themelimi i tij është obligim ndërkombëtar i Kosovës, që duhet të bëhet në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

 

“Besoj te BE-ja, te modelet evropiane. Duam që bashkërisht të hartojmë statutin, që do të bazohej në modelet më të mira evropiane. Ne kemi analizuar 16 modele evropiane. Të sigurohemi që të krijojmë diçka që nuk është një përbindësh por që funksionon për Kosovën dhe Serbinë”, tha Lajçak.

 

Ndërkaq, Escobar tha se SHBA-ja përkrah një asociacion që nuk shkakton probleme në funksionimin e shtetit.

 

Të pyetur se cila është mënyra përpara për të dyja palët, zyrtarët perëndimorë thanë se Kosova dhe Serbia duhet të respektojnë obligimet e tyre të dala nga dialogu.

 

Sipas REL, Escobar tha se është e rëndësishme që të ketë zbatim të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, të arritur në shkurt në Bruksel dhe më pas Aneksi për zbatimin e saj në mars në Ohër përmes së cilit Serbia, veç tjerash, do të njihte simbolet e Kosovës dhe të drejtën e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

 

Ndërkaq, për Kosovën ai tha se është e rëndësishme që të nisë “menjëherë dhe urgjentisht bisedimet për themelimin e Asociacionit”.

 

Që të dy zyrtarët e cilësuan si “propozim serioz” draft-statutin që kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për Asociacionin.

 

Ky diskutim vjen dy javë pasi Escobar dhe Lajçak qëndruan në Kosovë dhe Serbi për të ndihmuar palët që të ulin tensionet.