Dhjetë muxhahedinë iranianë janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Durrësit si dëshmitarë në ngjarjen e ndodhur paraditen e së martës në kampin Ashraf 3 në Manzë, ku gjatë kontrollit të policisë në kamp, pati përplasje mes efektivëve dhe anëtarëve të opozitës iraniane.

 

Sipas Klan News, muxhahedinët janë pyetur në lidhje me pretendimet e tyre se policia ka ushtruar dhunë si dhe akuzat se me sprajtin që kanë hedhur në drejtim të tyre, efektivët janë përgjegjës për humbjen e jetës së një anëtari në kamp.

Gjatë dëshmisë së dhënë ata kanë mbajtur po të njëjtin qëndrim. Më herët, për këtë pretendim, autoritetet shqiptare deklaruan se nuk është ushtruar dhunë ndaj muxhahedinëve.

 

Policia dhe Prokuroria nuk kanë mundur të sekuestrojnë ende kamerat brenda kampit, dhe për këtë janë detyruar që me një kërkesë t’u drejtohen përfaqësuesve të muxhahedinëve për t’u dhënë pamjet e kamerave të sigurisë.

Sot dhe në ditet në vijim pritet të merren në pyetje persona të tjerë iranianë, mes të cilëve edhe 6 personat që u proceduan në gjendje të lirë për 4 akuza.

Në lidhje me 78-vjeçarin që humbi jetën në kamp, Prokuroria e Durrësit është në pritje të autopsisë dhe përgjigjes së analizave toksikologjike. Policia tha se i moshuari kishte ndërruar jetë si pasojë e infarktit.