Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Top Channel, ku u qëllua me breshëri armësh godina e këtij televizioni, kanë dalë detaje të reja.

 

Mësohet se shumica e plumbave që u shkrehën ndaj godinës së Top Channel kanë lënë shenja në katin e dytë të godinës dhe pak në katin e poshtëm por njëri pre tyre bëri rikoshet dhe goditi në shpatull rojen Pal Kola, i cili ashtu i lënduar kërkoi të shkonte të miqtë e tij, rojet e tjera të sigurisë, që ishin në një kabinë pak më tutje.  Por pasi eci 8-9 metra ai u rrëzua dhe ndërroi jetë në vendngjarje.

 

Policia bëri me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 25 gëzhoja model 56, 5 predha dhe 9 copëza predhash municioni luftarak. Janë këqyrur dhe sekuestruar kamerat e sigurisë të televizionit, si dhe disa kamera sigurie të subjekteve private përreth vendit të ngjarjes dhe në drejtimin e lëvizjes së automjetit të përdorur nga autorët.

 

Nga ekspertimi i provave të sekuestruara në të dyja vendngjarjet, ka rezultuar se autorët i kanë përdorur të dyja armët e zjarrit, ku 20 gëzhoja janë qitur nga një armë zjarri dhe 6 gëzhoja janë qitur nga arma tjetër. Për provat e tjera të sekuestruara janë përgatitur vendimet e ekspertimit dhe nga Instituti i Policisë Shkencore vazhdon puna për ekzaminimin e tyre.