Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka deklaruar një ditë më parë gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend për ndryshimet ligjore në ligjin e strehimit social se do t’i hapet rrugë një seri programesh dhe lehtësirash për kategori të ndryshme të administratës publike, pjesë e të cilave do të jenë edhe profesionistët e shëndetësisë.

 

Sipas parashikimeve të mbështetjes për punonjësit tanë të shëndetësisë, në mënyrë që sipas kritereve të përcaktuara në këtë ligj, ne t’i sigurojmë një mbështetje direkte me kredi të buta për të pasur mundësinë e blerjes së një banese.  Sot ne hapim një tjetër dritare, një tjetër mundësi efektive për të ndërtuar një program të ri social për  çiftet e reja, për të pasur një banesë të tyren në pronësi dhe për ta përfituar këtë nëpërmjet ndihmës së shtetit. Shteti futet garant në këtë rast për të siguruar banesën për profesionistët e shëndetësisë, për mjekët e rinj”, tha Manastirliu.

 

Duke folur për mbështetjen e grupeve në nevojë përmes këtyre ndryshimeve ligjore, ministrja tha se edhe fëmijët në përkujdesje të Republikës do të përfitojnë nga këto ndryshime ligjore.

 

“Ata të cilët plotësojnë kriteret e parashikuara në këtë ligj do të kenë mundësi që të gëzojnë shtëpinë e tyre të parë, do kenë mundësi që të mbështeten nga shteti me këto kredi të buta, duke siguruar interesa shumë të favorshme dhe duke garantuar gjithashtu që edhe fëmijët me status në përkujdesje të Republikës së Shqipërisë, të mundet që t’i sigurojmë një kredi sociale më kosto të ulët, me interes zero dhe gjithashtu kolateral të parë”, tha Manastirliu.

 

Mjekët e rinj deri ne 38 vjeç, që  kanë përfunduar periudhën e provës në institucionin e punësuar, nuk posedojnë një banesë të tyren ose kanë një banesë të vogël janë pjesë e kategorive që përfitojnë kredi të buta për blerjen e banesës, së bashku me përfituesit e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” si dhe punonjës të administratës publike që plotësojnë kriteret e parashikuara në këtë ligj.