Me mesazhin “Dhuro gjak, shpëto jetë” punonjësit e bashkisë Gjirokastër kanë dhuruar gjak në spitalin rajonal “Omer Nishani”.

Ata apeluan që qytetarët të japin vullnetarisht gjak për shërbimet shëndetësore dhe aq më tepër për rastet e urgjencave mjekësore.

Fushata sensibilizuese e dhurimit të gjakut synon të ndërgjegjësojë qytetarët për rolin e rëndësishëm që luajnë dhurimet vullnetare të gjakut në shpëtimin e jetëve dhe rritjen e solidaritetit brenda komuniteteve.

Autoritetet shëndetësore theksojnë rëndësinë e dhurimit të gjakut në mënyrë të rregullt për të krijuar një rezervë të vazhdueshme gjaku, në mënyrë që pacientët në nevojë, të mund ta marrin atëherë kur do të kenë nevojë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë ndërgjegjësuese për vitin 2024 për rritjen e numrit të dhurimeve vullnetare të gjakut jo vetëm nga institucionet qendrore e vendore, por edhe nga vetë qytetarët.

Platforma online e dhurimit vullnetar të gjakut u jep mundësi të gjithë qytetarëve që përmes aplikimit në e-Albania, të rezervojnë ditën dhe orën e dhurimit./ata