Giovanni Pietro Barbano e ka marrë detyrën si shef i ri i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

 

 

Ai është gjeneralmajor i karabinierëve italianë me më shumë se 40 vjet përvojë në ligj dhe rend, në aktivitete policore dhe operacione paqeje.

 

Sipas njoftimit të EULEX-it, Barbano “pranoi se Misioni operon në një kontekst ende të vështirë, në mes të tensioneve të rritura”.

 

 

“Misioni është një mjet i shkëlqyer për përgjigjen më të gjerë të BE-së ndaj sfidave të sigurisë, pasi EULEX-i është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës. Brenda kufijve të mandatit të tij, Misioni do të vazhdojë të mbështesë stabilitetin në Kosovë, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj”, ka thënë ai.

 

Ai pason diplomatin suedez, ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark, i cili përfundoi mandatin e tij si Shef i Misionit më 25 qershor.

 

“Me një ndjenjë të madhe përgjegjësie i marr sot detyrat e mia si Shef i EULEX-it, një partner strategjik i Kosovës në sundimin e ligjit dhe sigurisë. Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për mandatin jetik të Misionit, unë do të punoj me integritet dhe profesionalizëm për të përmbushur moton e Misionit ‘Partneritet për Drejtësi’, për të ndikuar pozitivisht në terren dhe për të avancuar qëllimet tona të përbashkëta për sundimin e ligjit në Kosovë” ka thënë Barbano.

 

Ai gjithashtu ka thënë se EULEX do të vazhdojë të monitorojë nga afër rastet e përzgjedhura në nivelin policor, prokurorial, gjyqësor dhe korrektues për të vlerësuar se si këto raste trajtohen nga autoritetet e Kosovës.

 

Sipas tij, ndër të tjera, monitorimi do të fokusohet në respektimin e të drejtave të njeriut, garancitë e gjykimit të drejtë, si dhe trajtimin e barabartë për të gjithë, duke përfshirë pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në Kosovë./KosovaPress