Spanja jugore është duke u përballur me një valë të nxehti, e cila sipas ekspertëve është pasojë e ngrohjes globale.
Zonat jugore si Sevilja dhe Kordoba regjistruan temperatura përvëluese deri në 44 gradë Celsius ditën e hënë, ndërsa vala e parë e të nxehtit të verës goditi vendin iberik.
Valët e të nxehtit në qershor janë bërë më të shpeshta vitet e fundit, pjesë e një modeli global të rritjes së temperaturave, që i atribuohet gjerësisht nga shkencëtarët aktivitetit njerëzor.
“Në 12 vitet e fundit frekuenca e valëve të të nxehtit në qershor është trefishuar,” tha Ruben del Campo, zëdhënës i agjencisë kombëtare të motit AEMET. Gjashtë valë të nxehti janë regjistruar në qershor që nga viti 2011, nga vetëm pesë në 35 vitet e mëparshme.
Fenomeni i motit pritet të zgjasë deri të mërkurën, duke përfshirë rajonin jugor të Andaluzisë, por edhe Madridin, Extremadura dhe Castilla-La Mancha, ku termometrat mund të arrijnë 40-42C.
“Është e tmerrshme. Fëmijët duhet të vijnë këtu për t’u freskuar sepse nuk ka asnjë mënyrë për të qëndruar në shtëpi”, tha amvisa Elvira Martinez për Reuters në Madrid, duke qëndruar pranë shatërvanëve.
Nxehtësia josezonale preku pjesë të mëdha të Gadishullit Iberik në mars dhe prill, një situatë që ministrja e Mjedisit Teresa Ribera e quajti “të tmerrshme".