Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka inspektuar mëngjesin e sotëm njësinë e Hemodinamikës në Spitalin Memorial Fier, ku janë dyfishuar kapacitetet për trajtimin e problematikave kardiake në zonën e jugut.
“Janë 4 qarqe që referohen sa i përket listës së pritjes për koronorografi në Spitalin Memorial. Prej fundit të majit, kur edhe Memoriali u bë 2 vjeç, po realizohet Hemodinamika 24 orë në 3 ditë të javës. Tashmë jemi në një fazë shumë të mirë sa i përket diagnostikës nëpërmjet angiografit për problematikat cerebrale. Kemi dyfishuar kapacitetet në infrastrukturë dhe teknologji, të mundemi të zgjerojmë edhe aktivitetin 24 orë të hermodinamikës, duke qenë se kemi edhe burimet njerëzore, të cilat po i fuqizojmë hap pas hapi. Gjatë këtyre dy viteve kemi arritur të bëjmë mbi 2400 koronarografi”,- nënvizoi Manastirliu.
Duke iu referuar përgjigjes ndaj urgjencave kardiake, Manastirliu tha se “në kuadër të sezonit turistik dhe me zgjerimin e kapaciteteve, Spitali Memorial Fier është në gatishmëri për të pritur të gjitha urgjencat e infarktit akut të miokardit”.
“Jemi në sezonin turistik dhe ka një vlerë të veçantë që zgjerojmë kapacitetet e shërbimit, tashmë rastet që janë të trajtuara në urgjencat e spitaleve tona dhe kërkojnë mjekimin nëpërmjet Hemodinamikës, ne mund t’i referojmë direkt në këtë spital sepse sa i pëket rasteve te infarktit akut të miokardit, trajtohen në Spitalin Memorial me një ekip shumë cilësor dhe profesionist”,- tha Manastirliu.
Shërbimi i Hemodinamikës në Spitalin Memorial, prej një muaji funksionon edhe për urgjencat kardiake 24/7, sipas një plani të detajuar me 4 njësitë e hemodinamikës në gjithë vendin.
Në Spitalin Memorial, bashkëpunimi i shkëlqyer që është mes mjekëve hemodinamistë turq dhe shqiptarë, me 8 mjekë kardiologë dhe hemodinamistë, ka mundësuar që 120 pacientë në muaj të kryejnë koronorografitë/procedurat kardiake me metoda të avancuara dhe në këto dy vite janë shërbyer më shumë se 2400 pacientë.
Me zgjerimin e stafit dhe dyfishimin e kapaciteteve me vendosjen e angiografit të dytë në Njësinë e Hemodinamikës në Spitalin Memorial, do të mundësohet zgjerimi i mëtejshëm i këtij shërbimi, duke zgjidhur përfundimisht problematikat kardiake me metoda të avancuara, edhe rastet e urgjencave për banorët e jugut të vendit, por edhe për tju përgjigjur akoma më mirë nevojave gjatë sezonit turistik për jugun e vendit.
Në Spitalin Memorial Fier janë 17 shërbime shëndetësore që tashmë po ofrojnë një standard të ri shërbimi për pacientët e jugut. Në këto 2 vite të funksionimit të këtij spitali janë ofruar mbi 300 mijë shërbime, ku kanë përfituar mbi 70 mijë qytetarë të rajonit të jugut dhe jo vetëm.