Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u shpreh i sigurt se Perëndimi shumë shpejt do të dalë me një tekst për statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin tha se Serbia as që do të pyetet.
Lideri serb shtoi se shteti i tij po “bën më të mirën për të ruajtur paqen dhe gjithmonë jemi të gatshëm për kompromise”.
“Pres shumë situata të vështira për ne në periudhën e ardhshme dhe jam pothuajse i sigurt që perëndimorët do të dalin me një ide gjeniale për të na ofruar ne tekstin e statutit, për të cilin nuk do të na pyesin fare. Prandaj, pres shumë, shumë probleme. Por, kjo nuk është diçka e re. Ka shumë nervozizëm për situatën në Ukrainë dhe disa mendojnë se ne duhet të paguajmë çmimin për mospërmbushjen e pritjeve të tyre”, tha Vuçiç në Valevë të Serbisë.
Për jetësimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute dhe draft-vizione: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, draft-vizioni i kryeminstrit të Kosovës, Albin Kurtit, draft-statuti i kryeminsitrit të Shqipërisë, Edi Ramës, dhe draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).
Për këtë çështje, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje: më 2013 dhe 2015.
Gjykata Kushtetuese gjeti se marrëveshja e vitit 2015 nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, por që mund të harmonizohet përmes ligjeve.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet për Asociacionin, por Qeveria aktuale e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Vuçiç foli për statutin e Asociacionit, teksa po komentonte incidentin e fundit në Mitrovicë të Veriut, kur më 26 qershor u sulmua me mjet shpërthyes ndërtesa e kësaj komune.