Filatelia e Postës së Kosovës, në shenjë nderimi të figurave të ndritura nga historia moderne e Republikës së Kosovës, komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve të tjerë për liri, më 5 mars 2023 vë në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare me titull “25-vjetori i Epopesë së UÇK-së”.

 

Posta e Kosovës njofton se emisioni i pullave postare përbëhet nga një pullë postare me nominale €2.10, të shtypur në suvenir tabak të dizajnuar, Zarf të Ditës së Parë dhe Vulë të Ditës së Parë, me qarkullim deri në konsum të plotë.

 

“Motivi i pullës postare që mban portretin e Shabanit, Ademit dhe Hamzë Jasharit, në sfond ka shqiponjën dykrenare, që në mënyrë artistike shndërrohet në numrin e përvjetorit të rënies heroike dhe sakrificës së jashtëzakonshme të familjes Jashari. Ky motiv njëkohësisht paraqet edhe shenjën mbrojtëse të të gjitha aktiviteteve të parapara në kuadër të manifestimit të organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Si çdo herë, Filatelia e Postës së Kosovës do të angazhohet që përmes imazheve të pullave postare të afirmojë me krenari vlerat tona kombëtare në të katër anët e botës”, thuhet në njoftimin e postës.