Miroslav Lajçak duhet të dorëhiqet. Zërat kritikë ndaj punës që i dërguari i posaçëm i BE-së ka bërë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë janë shtuar.

 

Gjatë seancës në Komitetin e Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme, eurodeputeti austriak Thomas Waitz, tha se qëndrimet e Lajçak në raport me tensionet mes dy vendeve e kanë ulur besueshmërinë tek dialogu i ndërmjetësuar.

 

“Si e konsideroni ju një marrëveshje që nuk u firmos me sukses nga të dyja palët?! Ku realisht shihni ju sukses në punën tuaj në katër vitet e fundit? Në komunikimin tonë po duket sikur agresioni erdhi nga Kosova, ndërsa atë e organizoi Serbia, mercenarët erdhën nga Serbia dhe sulmuan KFOR-in. Dhunuesi është gjithmonë dhunues. Kështu që ne vërtet dhamë një përshtypje të keqe me mbrojtjen e dhunuesve, ndërsa sulmojmë viktimat e agresionit, edhe nëse mendojmë se disa lëvizje politike ishin të gabuara. Kjo është duke e minuar kredibilitetin tonë në rajon”, tha Thomas Waitz, eurodeputet i Austrisë.

 

Eurodeputeti austriak ka kërkuar që njësoj si për Kosovën, kërkesat dhe presioni të jenë edhe për Serbinë, e cila në këndvështrimin e tij, po favorizohet padrejtësisht.

 

“Ju shtroni të gjitha kërkesat që keni ndaj Kosovës, se çfarë duhet të bëjë, kurse ndaj Serbisë nuk thoni një pikë të vetme çfarë duhet të ofrojë. Dhe gjithë ato deklarata për orientimin rus të Serbisë, vazhdimin e agresionit, çfarë sinjali mendoni se i jepni atyre qindra mijë protestuesve që janë ngritur kundër regjimit të Vuçiçit?! Jeni duke i shkurajuar? Unë personalisht do t’ju pyetja ju për rolin tuaj në këtë”, theksoi ai.

 

Sipas drejtorit të përgjithshëm për zgjerim në Komisionit Europian, Jan Koopman, Bashkimi Evropian gjatë kësaj jave ka paralajmëruar se do të komunikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i ka përgatitur për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të shtetit.