Ushtria izraelite njoftoi të martën se të paktën 21 ushtarë të saj u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një pritë në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Në një deklaratë, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, admirali Daniel Hagari, tha se incidenti ndodhi pranë komunitetit kufitar Kissufin, ndërsa Hamasi sulmoi ushtarët që përpiqeshin të shkatërronin infrastrukturën ushtarake të grupit të rezistencës palestineze.
Ai tha se luftëtarët e Hamasit sulmuan me raketa në një tank izraelit, ndërsa, njëkohësisht, një shpërthim shkaktoi shembjen e dy ndërtesave dykatëshe.
“Ndërtesat janë shembur nga ky shpërthim, ndërkohë që pjesa më e madhe e forcave ishin brenda dhe pranë tyre”, shtoi Hagari.
Ai tha se ka nisur një hetim për incidentin pasi shpërthimi ishte rezultat i minave të vendosura nga ushtarët izraelitë, megjithëse shkaku i shpërthimit të tyre ende nuk është konfirmuar.
Ushtria izraelite publikoi emrat e 10 ushtarëve, ndërsa familjarët e 11 të tjerëve u njoftuan.
Me rastin e fundit, numri i ushtarëve izraelitë të vrarë në Gaza që nga fillimi i operacioni tokësor më 27 tetor ka shkuar në 219, ndërsa numri total i ushtarëve të vrarë që nga nisja e ofensivës izraelite kundër Gazës më 7 tetor është rritur në 565.
Izraeli filloi sulme të pamëshirshme në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i grupit palestinez të rezistencës Hamas më 7 tetor, duke vrarë të paktën 25.295 palestinezë dhe duke plagosur 63.000. Gati 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë sipas shifrave zyrtare.
Ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e 85 për qind të popullsisë së Gazës brenda enklavës së bllokuar në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së./aa