Forcat e sigurisë në Francë kanë arrestuar 150 persona në natën e dytë të trazirave që u nxitën pas vrasjes së një adoleshenti nga policia, bëri të ditur ministri i Brendshëm.

 

 

Ministri Gerald Darmanin i përshkroi trazirat si “të patolerueshme”.

 

“Një natë e patolerueshme e dhunës kundër simboleve të Republikës, me ndërtesat komunale, shkollat dhe stacionet policore të djegura ose të sulmuara”, shkroi Darmanin në Twitter, duke shprehur mbështetjen për policinë.

 

 

“Turp për ata që nuk bën thirrje për qetësi”, shtoi ai.

 

Nahel M., 17 vjeç, u qëllua me armë zjarri në gjoks mëngjesin e së martës. Ky incident ka nxitur debatin në Francë lidhur me taktikat që përdor policia, e të cilat për një kohë të gjatë janë kritikuar nga grupet për të drejtat e njeriut lidhur me trajtimin e njerëzve me të ardhura të ulëta, veçmas të pakicave etnike.

 

Nëna e adoleshentit bëri thirrje për një marsh të enjten, në nderim të djalit të saj të vetëm.

 

Përveç në Paris, përleshje mes policisë dhe protestuesve të mërkurën mbrëma ka pasur edhe në Tuluz, Lion dhe Dizhon.

 

Afër 2.000 policë u dislokuan në Paris, teksa protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë dhe gjësende të tjera në drejtim të zyrtarëve policorë.

 

“Jemi ngopur duke na trajtuar kështu. Kjo është Nahelin, ne jemi Naheli”, thanë dy të rinj teksa po protestonin në rrugët e Parisit.

 

Nahel M. Ishte ndaluar nga policia rrugore, derisa ai po ngiste një makinë të llojit Mercedes. Policia fillimisht kishte thënë se kishte qëlluar adoleshentin, pasi ai ishte nisur me makinë drejt tyre, por këto deklarata janë në kontradiktë me disa video që kanë qarkulluar në rrjetet sociale.

 

Në videot e publikuara shfaqen dy policë duke qëndruar pranë makinës së tyre të parkuar, teksa njëri prej zyrtarëve i drejton armën shoferit. Më pas dëgjohet një e shtënë, teksa makina që po ngiste adoleshenti, lëvizë për një kohë të shkurtër dhe më pas përplaset.

 

Më 2005, në Francë kishin shpërthyer trazira të mëdha pas vdekjes së dy djemve me ngjyrë gjatë një ndjekjeje policore. Ato protesta rezultuan me rreth 6.000 të arrestuar.

 

Më 2017, Franca ndryshoi ligjet duke u dhënë më shumë të drejta policëve sa i përket përdorimit të armëve të tyre. Vitin e kaluar, 13 persona u vranë pasi refuzuan të ndalonin për kontrolle në trafik.