Në Spanjë janë regjistruar vdekjet e para nga vala e të nxehtit pasi dy fermerë kanë humbur jetën për shkak të temperaturave të larta. Një fermer 46-vjeçar vdiq në rajonin autonom Castilla-La Mancha, ndërsa lajmin e bëri të ditur ministri i Bujqësisë i rajonit, Francisco Martinez Arroyo.

 

 

“Kjo valë e të nxehtit është e tmerrshme”, shkroi Martinez në twitter, duke u kërkuar fermerëve që kryejnë punën e tyre në ajër të hapur të marrin masa mbrojtëse kundër valës së të nxehtit.

 

Një tjetër fermer, 47-vjeç, vdiq pasi të shtunën u rrëzua teksa lëvronte tokën në qytetin Aznalcollar të Seviljes. Lajmin për vdekjen e tij e njoftoi Ministria spanjolle e Shëndetësisë.

 

 

Gjatë valës së parë të të nxehtit të verës, e cila filloi fundjavën e kaluar dhe që pritet të zgjasë deri të premten, u regjistruan temperatura maksimale pasi Andaluzia shënoi 44 gradë Celsius. Një paralajmërim për nxehtësi intensive është lëshuar në tetë komunitete të hënën, dy prej të cilava janë në alarm të kuq.