Policia e Shtetit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, në lagjen “10 Korriku”, në Shkodër, ku iu vendos lëndë eksplozive garazhit të automjeteve të 52-vjeçarit Agim Uraj në Shkodër, i cili është biznesmen i njohur në zonë.

 

Uniformat blu kanë identifikuar 2 shtetasit e dyshuar si autorë të vendosjes së lëndës eksplozive, si dhe i kanë shpallur në kërkim.

 

Pasi u administruan provat në vendngjarje, si dhe u këqyrën kamerat në aksin rrugor përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe identifikimi i 2 autorëve të dyshuar të saj. Gjithashtu, nga këto veprime dyshohet se 2 autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes, me një motomjet të vjedhur në qytetin e Shkodrës, pak para ngjarjes.

 

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpallën në kërkim shtetasit S. M, 27 vjeç dhe Z. M., 27 vjeç, të shpallur në kërkim edhe më parë, për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës.

 

Vijon puna intensive për kapjen e tyre.