Gati 1000 njerëz në Francë u arrestuan dhe 80 policë u plagosën gjatë natës së katërt të trazirave të shkaktuara nga vrasja e një 17-vjeçari nga policia.

 

45 mijë oficerë policie, përfshirë forcat speciale, u vendosën për t’iu përgjigjur trazirave në të gjithë vendin të premten mbrëma, kryesisht në dy qytetet e mëdha Marsejë dhe Lion.

 

Ministria e Brendshme raportoi se 994 u arrestuan në të gjithë Francën gjatë natës, ndërsa 79 policë dhe xhandarë u plagosën dhe 2,560 zjarre u regjistruan në rrugët publike. Pavarësisht kësaj, ministria tha se protestat ishin “me një intensitet më të ulët krahasuar me natën e kaluar”.

 

Më shumë se 80 arrestime u bënë në Marsejë, sipas ministrisë së brendshme, dhe “përforcime të rëndësishme” u dërguan pasi kryetari i bashkisë, Benoit Payan, i bëri thirrje qeverisë kombëtare që të dërgojë menjëherë trupa shtesë.

 

Në Lion dhe periferitë e tij përreth, protestuesit i vunë flakën makinave dhe ndezën fishekzjarre ndaj policisë. Policia vendosi transportues të blinduar të personelit dhe një helikopter për të shuar trazirat në qytetin e tretë më të madh të Francës.

 

Trazirat u ndezën në mbarë vendin pasi Nahel M, një 17-vjeçar me origjinë algjeriane dhe marokene, u qëllua nga policia të martën gjatë një ndalimi trafiku në një periferi të Parisit. Vdekja e tij, e regjistruar në një video, ka rindezur ankesat e gjata për dhunën e policisë dhe racizmin.

 

Oficeri 38-vjeçar i përfshirë në të shtënat, i cili ka thënë se ka qëlluar për shkak se kishte frikë se ai dhe kolegu i tij ose dikush tjetër mund të goditeshin nga makina. Ndërkohë ai është akuzuar për vrasje me dashje dhe është vendosur në paraburgim të përkohshëm.

 

Nahel do të varroset në një ceremoni të shtunën, sipas kryebashkiakut të Nanterre, periferia e Parisit ku ai jetoi dhe u vra. Avokatët e familjes u kanë kërkuar gazetarëve të qëndrojnë larg, duke thënë se ishte “një ditë reflektimi” për të afërmit e Nahelit.

 

Presidenti francez, Emmanuel Macron, anulloi një samit të Bashkimit Evropian në Bruksel herët të premten për të marrë pjesë në një takim për krizën. Ai u kërkoi prindërve që t’i mbanin fëmijët e tyre në shtëpi dhe akuzoi kompanitë e mediave sociale se po luanin një “rol të konsiderueshëm”, duke thënë se dhuna po organizohej në internet. Ai u kërkoi platformave të tilla si Snapchat dhe TikTok të heqin përmbajtje të ndjeshme.