Më 2 korrik të vitit 1990, mijëra shqiptarë hynë në territorin e ambasadave të huaja që funksiononin në atë kohë në Shqipëri në kërkim të lirisë së munguar prej 5 dekadash.

 

Brenda pak ditëve në oborret e ambasadave të Gjermanisë, Francës, Italisë e të Greqisë, kishin ngritur “kampin e fushimit” rreth 5.000 refugjatë shqiptarë që kërkonin azil politik.

 

Edhe pse nuk e dinin se ku do të përfundonin, shqiptarët kapërcyen muret e selive diplomatike në Shqipëri me një qëllim të vetëm: ikjen për në perëndim.

 

Kjo ngjarje është konsideruar si rënia e “Murit të Berlinit” në Tiranë, që më pas do të sillte dhe zhvillime të tjera për të kulmuar në dhjetor të vitit 1990 me lëvizjen studentore dhe lejimin e pluralizmit politik.

 

Për afro gjysmë shekulli, Shqipëria nën thundrrën e diktaturës komuniste ishte  shndërruar në vendin më të izoluar të Europës.

 

Hapja e ambasadave ishte akti i parë i dramës shqiptare në mbyllje të mijëvjeçarit. Në  këto rrethana u përgatit edhe terreni i volitshëm për zhvillimin e lëvizjes antikomuniste të studentëve.

 

Në sajë të qëndresës së tyre, do të instalohej edhe pluralizmi politik.

 

Drejtoria e Përgjithshme Arkivave ndau në rrjetet sociale informacion për “problemin e qytetarëve shqiptarë që u larguan nga vendi ynë nëpërmjet rrugës së strehimit në ambasadat e huaja”.