Për tri ditë me radhë rrugët e Shkodrës do të gjallërohen nga festa e Karnavaleve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga atmosfera festive në qytetin verior, ndërsa godina ikonike e bashkisë së qytetit të Shkodrës ndriçohet me videomapping për karnavale.

“Shkodra sot”, shkruan Rama, ndërsa ndan pamjet festive.

“Rrugët e Shkodrës n’Karnaval” parashikon një axhendë të ngjeshur aktivitetesh duke nisur nga sot deri në 25 shkurt.

Shkodra është qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen. Festimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve ’90./ata