Kanë vazhduar përleshjet në mes të protestuesve dhe policisë të shtunën vonë dhe herët të dielën, gjersa Franca u përball me natën e pestë të trazirave të shkaktuara pas vrasjes së një të riu nga policia.

 

Policia bëri 719 arrestime në mbarë vendin deri të dielën herët pas një vendosjeje masive të sigurisë që synonte të shtypte trazirat më të këqija sociale të Francës në vite.

 

Kriza e përhapur me shpejtësi po paraqet një sfidë të re për udhëheqjen e presidentit Emmanuel Macron dhe po ekspozon pakënaqësinë e thellë në lagjet me të ardhura të ulëta për diskriminimin dhe mungesën e mundësive.

 

17-vjeçari, vdekja e të cilit të martën shkaktoi zemërim, i identifikuar si Nahel, u varros të shtunën në një ceremoni myslimane në qytetin e tij të lindjes Nanterre, një periferi e Parisit, raporton Associated Press.

 

Përleshjet shpërthyen në qytetin mesdhetar të Marsejës, por u shfaqën më pak intensive se një natë më parë, sipas Ministrisë së Brendshme. Një kontingjent i përforcuar i policisë arrestoi 55 persona atje.

 

Arrestimet në mbarë vendin ishin disi më të ulëta se një natë më parë, të cilat ministri i Brendshëm Gerald Darmanin ia atribuoi “veprimeve të vendosura të forcave të sigurisë”.

 

Rreth 2,800 njerëz janë arrestuar në përgjithësi që nga vdekja e Nahelit të martën. Vendosja masive e policisë është mirëpritur nga disa banorë të frikësuar të lagjeve të shënjestruar dhe pronarë dyqanesh, dyqanet e të cilëve janë plaçkitur – por ka frustruar më tej ata që e shohin sjelljen e policisë si thelbin e krizës aktuale të Francës.