Ka nisur sot në Gjykatën e Elbasanit seanca gjyqësore e vlerësimit të arrestit për të arrestuarit gjatë megaoperacionit “Rrjeti” të zhvilluar nga policia e shtetit në Elbasan, Pogradec, Përrenjas, Cërrik, Belsh dhe Librazhd, gjatë të cilit u shkatërrua plotësisht një grup kriminal dhe pjesërisht tre të tjerë.

 

Gjatë këtij mega-operacioni nga 52 urdhër arrestet u ekzekutuan 45 dhe 7 të tjerë u shpallën në kërkim. Ditën e djeshme, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan i ka kërkuar gjykatës arrest me burg për 37 nga të arrestuarit, arrest shtëpie për 8 të tjerë dhe detyrim paraqitje për 3 të tjerë.

 

Ndërsa 5 nga 7 të shpallurit në kërkim dyshohet se janë larguar jashtë Shqipërisë. 11 prej tyre rezultonin të dënuar dhe më parë për krime të kryera në fushën e narko-trafiqeve, ndërsa 10 të tjerë kanë qenë të dënuar për vepra të ndryshme penale.