Për herë të parë në maternitetin “Koço Gliozheni” u aplikua një procedurë e re që i mundësoi Rodenit të ardhur në jetë prematur, me një peshë shumë të vogël, të rikuperohet shpejt, duke e fituar betejën për jetën.

 

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.

 

“Falë procedurës së re, vendosja e një linje venoze nga vena periferike, deri në afërsi të hyrjes në zemër (long line),  të aplikuar nga stafi i trajnuar i Shërbimit të Neonatologjisë në bashkëpunim me  Spitalin Universitar ‘Saint Luc’ në Bruksel, Rodeni ka dalë nga spitali në gjendje shumë të mirë shëndetësore”, tha Manastriliu.

 

Ministrja Manastirliu u shpreh se “nga procedura e re që po aplikohet, arrihet marrja e të gjitha mjekimeve dhe ushqyerjes parenterale, shmangen procedurat e shpeshta infermierore tek bebet, duke ndikuar kështu në parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve, si dhe u mundësohet fëmijëve të lindur para kohe, një rikuperim më i shpejtë dhe i sigurt”.

 

Në maternitetin “Koço Gliozheni” çdo ditë luftohet për të shpëtuar jetë. Stafi i këtij materniteti kryen çdo ditë një super punë për kujdesin dhe trajtimin e fëmijëve prematurë.