Konsullata e Përgjithshme e Kinës në Marsejë protestoi në ministrinë e jashtme të Francës pasi një autobus që transportonte një grup turistësh kinezë në qytet u sulmua me gurë, duke shkaktuar lëndime të lehta tek pasagjerët.

Në protestën e saj, konsullata kineze bën thirrje për garantimin e sigurisë së qytetarëve kinezë dhe pronës së tyre.

 

Autobusi u sulmua të enjten, raportoi CCTV shtetërore e Kinës, mes trazirave që kanë shpërthyer në disa qytete franceze pasi një djalë 17-vjeçar u qëllua për vdekje nga një oficer policie të martën.

 

Turistët kinezë që ishin në autobusin në fjalë tani janë larguar nga Franca, tha konsullata kineze. Për më tepër, konsullata u bëri thirrje qytetarëve kinezë që ndodhen në Francë ose që synojnë të udhëtojnë atje, të jenë të kujdesshëm dhe të tregohen të matur për shkak të trazirave që kanë tronditur vendin ditët e fundit.