Mjeku toksikolog, Lulëzim Banushaj tha në një intervistë për “Goodmorning Albanians” në Euronews Albania se merimangat e zeza janë bërë më helmuese se nepërka.

 

Sipas tij dhimbjet dhe pasojat që shkakton pickimi i saj janë shumë më të rënda kur i krahason me pickimet e tjera dhe ndodh që të ngatërrohen me dhimbje që i shkaktojnë sëmundjet që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

 

“Nëse personi nuk e ka kuptuar sepse ndonjëherë e ndjejnë që i ka pickuar diçka, por nuk e dinë se çfarë ne e kuptojmë nëpërmjet klinikës. Merimanga ka klinikë shumë të rëndë, me dhimbje shumë të forta, me ethe, dhimbje të të gjithë trupit, dhimbje të forta të barkut, që ngatërrohen dhe me sëmundje të tjera, me sëmundje kirurgjikale. Nga rastet që kemi parë ne është më helmuese se nepërka,” – u shpreh mjeku.

 

Insektet janë shumë të rrezikshme për shëndetin tonë, sidomos tani në periudhën e verës. Kjo ka bërë që të shtohen rastet nga pickimet e zvarranikeve dhe insekteve. Helmimi prej tyre  çon deri në humbje të jetës në rast se nuk trajtohet në kohë. Sidomos në javën e fundit ne spitalin Rajonal ne Fier janë paraqitur mbi 10 raste, 4 fermerë janë pickuar nga merimanga e zezë dhe 6 nga gjarpërinjtë dhe nepërkat.