Partizani mbylli fazën përgatitore në Pogradec dhe tashmë do të vijojë në Tiranë stërvitjen në kompleksin e vet për ndeshjet e turit të parë kualifikues të Champions League kundër bjellorusëve të BATE Borisov.

13 ditët e qëndrimit në Pogradec rezultuan pozitive, pasi nuk ka pasur probleme të mëdha me dëmtimet dhe futbollistët kanë marrë ngarkesën e duhur. Edhe miqësorja kundër Strugës ishte pozitive, pasi përveç fitores, u panë në aksion edhe blerjet e reja.

 

Në ditët në vazhdim Partizani do të zhvillojë edhe një ndeshje tjetër miqësore, por rivali ende nuk është përcaktuar. Ndërkohë, klubi ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen e parë në “Air Albania”, që do të luhet më 11 korrik në orën 20:45.

 

Biletat më të lira do të jenë në sektorin N pas porte, që do të kushtojnë 400 lekë. Në tribunën përballë do të jenë 1000 lekë, ndërsa një biletë në tribunën VIP kushton 4 mijë lekë. I gjithë sektori S pas porte do të jetë i mbyllur si pasojë e dënimit nga UEFA.

 

Biletat shiten në sportelin pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Partizani bëri të pamundurën që kjo ndeshje të luhej në “Air Albania” për të pasur sa më shumë tifozë dhe për të marrë fitore.