Situata në Francë duket se po qetësohet pas pesë ditësh incidente të dhunshme që nisën pas vrasjes së 17-vjeçarit Nael nga një oficer policie gjatë një kontrolli rutinor.

 

Pavarësisht se të dielën  trazirat  në disa pjesë të Francës ishin qetësuar dhe ishin bërë më pak arrestime, Emmanuel Macron i kërkoi ministrisë së brendshme të mbante një prani "masive" të policisë në rrugë. 

 

Emmanuel Macron, në një postim në Tëitter në orët e para të së martës (4/7), falënderoi autoritetet për mobilizimin e tyre në netët e fundit.

 

“Policia, xhandarët, zjarrfikësit, faleminderit për mobilizimin tuaj të jashtëzakonshëm gjatë netëve të fundit. E di sa e vështirë ka qenë kjo për ju dhe familjet tuaja. Ju keni mbështetjen time”, tha presidenti francez.

Të hënën, kryebashkiakët bënë thirrje për tubime jashtë bashkive për të protestuar ndaj dhunës dhe plaçkitjes, ndërsa në Nader, vendlindja e 17 vjeçarit të vrarë, kryebashkiaku Patrick Jarry tha se ishte i kënaqur që dhuna ishte ulur, por shtoi se "nuk duhet të harrojmë incidentin që shkaktoi kjo situatë dhe nevoja e vazhdueshme për drejtësi”.

 

Më vonë pasdite, disa qindra njerëz u mblodhën në qytetin e vogël L'Île-Rose, afër Parisit, në mbështetje të Vincent Jeanbrin, kryetarit të bashkisë, shtëpia e të cilit u sulmua nga rebelët, ku mbetën të plagosur gruaja dhe njëri nga dy fëmijët e tij të vegjël. Ngjarja po trajtohet si vrasje e mbetur në tentativë nga prokuroria.

 

Pothuajse 4000 arrestime që nga e premtja

 

Sipas Ministrisë së Drejtësisë nga e premtja dhe deri tani janë arrestuar 3915 persona, nga të cilët 1244 janë të mitur.

 

Ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanen njoftoi se "60%" e të arrestuarve nuk kishin precedentë penalë, nuk ishin të njohur për policinë dhe "nuk kishin qenë kurrë objekt kontrolli".

 

Darmanen këmbënguli në "përgjegjësinë e prindërve, të familjes" për të mbikëqyrur këta të rinj, "sepse nuk i takon policisë kombëtare apo xhandarmërisë apo kryetarit apo edhe shtetit të zgjidhë problemin kur një 12-vjeçar i vë zjarrin një shkolle”.

 

Ministri thotë se pas natës së kaluar në të cilën nuk pati ndonjë incident të madh, konstaton se “rendi po rivendoset”, “falë vendosmërisë së treguar”.

 

374 të akuzuar për grabitje janë paraqitur tashmë në gjykatë.

 

Më shumë se 1 miliard euro dëme

 

Presidenti i organizatës së parë franceze të punëdhënësve vlerësoi  1 miliard euro dëmin e shkaktuar nga trazirat, në një intervistë për Le Parisien të publikuar të hënën mbrëma. 

 

“Është herët për të dhënë një shifër të saktë, por jemi në më shumë se një miliardë euro, pa llogaritur dëmin e turizmit . Videot e trazirave, të publikuara në mbarë botën, po degradojnë imazhin e Francës”, tha Geoffroy Roux de Bézieux. 

 

Sipas të dhënave të tij, “më shumë se dyqind dyqane u plaçkitën plotësisht, treqind degë bankash u shkatërruan, dyqind e pesëdhjetë dyqane tabakino u dëmtuan rëndë. Gjithçka është vjedhur, madje edhe kasa para se t'i vihej zjarri për t'i shkatërruar”.

 

Trazirat shkaktuan " të paktën 20 milionë euro dëme" në transportin publik në Ile-de-France , sipas një vlerësimi të parë të publikuar të hënën nga Ile-de-France Mobilités (IDFM), autoriteti rajonal i transportit.

 

Ministri francez i Brendshëm, Gérald Darmanen, bëri të ditur gjithashtu se janë liruar 20 milionë euro për të rikthyer "deri në fund të verës" "video kamerat e sigurisë" që u thyen gjatë trazirave. “Paratë e shtetit janë në dispozicion të kryetarëve të bashkive të Francës”, theksoi ai.

 

Presidenti Macron do të takohet sot me kryetarët e 220 rajoneve të prekura nga dhuna.