Kryeministri Albin Kurti tha se ngjarjet e shtatorit në Banjskë të Zveçanit, protestat e majit në veri të Kosovës rritja e pranisë ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor e bëjnë më “urgjente se kurrë” nënshkrimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Por, me refuzimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, që ta nënshkruajë këtë marrëveshje, sipas Kurtit, ai po e lë të hapur mundësinë “e pushtimit të Kosovës”.
Shkurtin e kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan në Bruksel për këtë marrëveshje, ndërkaq në prill në Ohër u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të saj. Megjithatë, palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por blloku evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, tha se ajo është obliguese për palët.
“Nuk mund të shoh asnjë arsye tjetër për refuzimin e nënshkrimit [nga Serbia]. Atëherë, ata duan të mbajnë hapur këtë derë [të pushtimit të Kosovës] dhe të kenë një dritare mundësie për t’u rikthyer dhe për të kryer agresion”, tha Kurti gjatë një paneli diskutimi të organizuar nga instituti Chatham House.
Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjelltë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Në panelin e diskutimit, Kurti tha se “regjimi autoritar” i Serbisë “po mban prapa të gjithë rajonin. Sipas tij, Beogradi në një masë të madhe e njeh Kosovën de facto, por jo de jure.
Kryeministri kosovar tha se Serbia përdor Kosovën për të mbajtur raporte të mira me Rusinë dhe Kinën.
“Ekziston një tezë e përgjithshme se Serbia po mban raporte të mira me Federatën Ruse dhe Kinën, në mënyrë që t’i përdorë ato në agresivitetin kundër Kosovës. Por, unë mendoj se është e kundërta. Gjegjësisht, Serbia përdor agresivitetin e saj ndaj Kosovës që të mbajë raporte të mira me Federatën Ruse dhe Kinën. Sepse ndaj diktatorëve që nuk i besojnë askujt, ju duhet ta tregoni veten vazhdimisht. Mendoj se këtë po e bën Vuçiçi. Me agresivitetin e tij ndaj Kosovës ai po mundohet të mbajë raporte të mira me Kremlinin”, arsyetoi Kurti.
Kurti tha se përmes Serbisë, Rusia po rrit praninë e saj në Ballkanin Perëndimor.
“Pra, aleanca e Serbisë me Rusinë nuk është vetëm kërcënim në aspektin teorik për Evropën dhe Ballkanin. Është kërcënim real të cilin Kosova, por jo vetëm, e përjeton vazhdimisht. Përmes Serbisë, ne kemi parë rritjen e pranisë ruse në Ballkan, qoftë përmes medieve, inteligjencës, apo formave të tjera të ndërhyrjes”. /tesheshi.com/