Qeveria ka nisur procesin e konsultimit për të rishikuar taksën e pronës.

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se ende nuk ka një draft të finalizuar, por objektivi i synuar është vlerësimi i pasurive me vlerën e tregut, me çmimin e tregut.

 

“Kemi një produkt të hartuar në bashkëpunim me Ambasadën suedeze. Jemi ende në konsultim, jemi duke punuar me Universitetin e Tiranës me qëllim të marrim ekspertizën e duhur, në mënyrë që kjo reformë madhore të zbatohet sa më mirë. Hyrja në fuqi parashikohet në vitin 2026 për ndërtesat”, deklaroi ministrja gjatë konferencës për shtyp mbi treguesit ekonomikë.

 

Sipas ministres, kjo është një reformë madhore që duhet të marrë kohën e duhur për të gjithë hapat e zbatimit të tij.

 

“Ndryshimi kryesor që do të sjellë është vlerësimi i pasurive i pronave me vlerën e tregut, me çmimin e tregut. Ky është një ndryshim thelbësor, i cili ka nevojë për një angazhim shumë të madh, jo vetëm në kuadër të hartimit të ligjit, por edhe të marrjes së masave institucionale për zbatimin sa më të mirë të tij”, u shpreh ajo.

 

Në 5-mujorin e parë të vitit sipas ministrisë janë mbledhur 2.7 miliardë lekë nga taksa e pronës, ndërsa përgjatë gjithë vitit llogaritet të mblidhen gati 7 miliardë lekë. Sot qytetarët paguajnë 0.05 % e vlerës së banesës e përllogaritur kjo në bazë të zonave.