Nuk ka më asnjë dyshim: Carlo Ancelotti do të jetë trajneri i ri i Brazilit duke nisur nga 2024. Për të konfirmuar këtë lajm, që qarkullonte prej kohësh, ka qenë vet presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit, Ednaldo Rodrigues, shkruan CNN Brazilian. Ancelotti ka një kontratë me Real Madrid deri në 2024, në përfundim të kësaj kontrate, Ancelotti do të marrë menjëherë drejtimin e 5 herë kampionëve të Botës. Tekniku italian do të drejtojë “Seleçaon” në Kupën e Amerikës që do të zhvillohet në SHBA në verën e 2024.
Deri atëherë Brazili do të drejtohet nga Fernando Diniz. Ancelotti do të bëhet trajneri i parë i huaj pas afro 70 vitesh që do të drejtojë përfaqësuesen e Brazilit, për herë të fundit ishte argjentinasi Filpo Nunez që i udhëhoqi në një ndeshje të vetme në 1965. Ancelotti është një nga trajnerët më të suksesshëm në histori, ku spikasin 4 Champions League, 2 me Milan dhe dy me Real Madrid, gjithashtu ka fituar tituj pafund në Itali, Angli, Gjermani, Francë dhe Spanjë.
Pasi zhgënjyen në Botërorin e fundit, “Katar2022”, Brazili shpreson shumë që me Ancelottin në stol të rikthehen edhe një herë në majën e botës. Në pritje të Ancelottit, Brazili do të nis fushatën e kualifikueseve për në Botërorin e 2026 me Diniz në stol që do t’i drejtojë në 6 ndeshje, përfshi këtu edhe sfidat me Argjentinën dhe Uruguain.