Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka shkuar këtë të shtunë në zyrën e Drejtorit të Policisë së Shtetit, Muhamed Rrumbullakut.

 

Mësohet se takimi mes tyre po zhvillohet në ambientet e Drejtorisë së Policisë.

 

Takim vjen pas ngjarjeve të fundit kriminale në vend dhe pas ngjarjes në Fushë-Krujë me fisin Rraja.

 

Dje Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar për dhunën që anëtarë të fisit të deputetit socialist Rrahman Rraja kanë ushtruar në Krujë, ndaj dy kushërinjve Maja, pas ankesave të tyre për shpërthimet në gurorenn në pronësi të Rrajave.

 

“Të rënda e të papranueshme pamjet e dhunës në Krujë. Askush nuk është mbi ligjin dhe s’mund t’u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë. Policia e Shtetit ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesat e të dyshuarve, ka arrestuar 4 persona sot herët në mëngjes dhe po punon për kapjen sa më parë të 3 të tjerëve të përfshirë në ngjarje. Çdo insinuatë tjetër s’ka lidhje me të vërtetën dhe me punën e Policisë së Shtetit për të çuar autorët përpara drejtësisë”, shkruante dje Çuçi.