Agjencia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ekonominë dhe Tregtinë (UNCTAD) rendit Shqipërinë të dytën për investimet e huaja direkte të tërhequra përgjatë vitit 2022.

 

Sipas një raporti të publikuar së fundmi, UNCTAD vlerëson se investimet e huaja direkte në vendin tonë, në vitin 2022 arritën 1.434 milionë dollarë.

 

Shqipëria la pas Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën, duke u renditur e dyta pas Serbisë, e cila tërhoqi 4.646 milionë dollarë investime.

 

Sipas raportit, investimet e huaja direkte në Shqipëri, në vitin 2022 ishin rreth 200 milionë dollarë më të larta se në vitin 2021.

 

Trendi pozitiv i IHD-ve duket se po vijon edhe përgjatë këtij viti. Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) raporton se në tremujorin e parë të vitit investimet e huaja direkte janë rritur me 1.85%, duke arritur në nivelin e 308 milionë eurove.

 

Sipas MFE-së, ato kanë qenë të shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë, megjithatë kontributin kryesor pozitiv në rritjen e IHD për tremujorin e parë 2023 e ka pasur nëndega e aktiviteteve financiare të sigurimit dhe industria nxjerrëse, e cila edhe në stokun e investimeve të huaja direkte vijon të zërë zërin kryesore./ATSH