Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se Türkiye ka rënë dakord ta dërgojë protokollin e anëtarësimit të Suedisë në NATO pas një takimi trepalësh.

 

“Jam i lumtur të njoftoj se presidenti Erdoğan ka rënë dakord sa më parë të përcjellë në Asamblenë e Madhe Kombëtare protokollin e aderimit për Suedinë dhe të punojë ngushtë me asamblenë për të siguruar ratifikimin”, tha Stoltenberg në një konferencë për media në Vilnius, ku liderët e NATO-s janë mbledhur për një samit.

 

"Sot, Suedia gjithashtu ra dakord, si një anëtare e BE-së, të mbështesë në mënyrë aktive përpjekjet për të ringjallur procesin e anëtarësimit të Türkiyes në BE dhe gjithashtu të ndihmojë në modernizimin e unioneve doganore BE-Türkiye dhe liberalizimin e vizave", theksoi Stoltenberg.

 

Ai theksoi se bashkëpunimi i Suedisë me Ankaranë në luftën kundër terrorizmit do të vazhdojë edhe përtej anëtarësimit dhe të dy vendet ranë dakord të krijojnë një marrëveshje të re dypalëshe të sigurisë.

 

Shefi i NATO-s shtoi se aleanca do të krijojë për herë të parë një post të koordinatorit special kundër-terrorizmit për të "rritur punën e saj në këtë fushë".

 

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit, Suedia përsëriti se nuk do të mbështesë organizatat terroriste YPG/PYD, si dhe organizatën terroriste FETO, grupi që qëndron pas grushtit të shtetit të dështuar në vitin 2016 në Türkiye.

 

Në takim gjithashtu u ra dakord të punohet drejt eliminimit të sanksioneve dhe heqjes së pengesave në tregtinë e mbrojtjes dhe investimeve midis aleatëve.

 

Ndërkohë, një zyrtar i lartë turk tha se Türkiye mori "mbështetje të plotë" për procesin e saj të pranimit në BE, duke përfshirë heqjen e sanksioneve dhe liberalizimin e vizave.

 

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, konfirmoi se vendi i tij do të krijojë një dialog të ri dypalësh të sigurisë me Turqinë për bashkëpunim.

 

Vendimi i Türkiyes për të mbështetur aplikimin e Suedisë në NATO u mirëprit gjithashtu nga krerët e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

 

Presidenti i SHBA, Joe Biden, tha se ai është i gatshëm të punojë me presidentin Erdoğan dhe Türkiyen për "rritjen e mbrojtjes dhe parandalimit në zonën euro-atlantike".

 

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, e quajti vendimin e Türkiyes për të përcjellë pranimin e Suedisë në NATO "një moment historik për NATO-n që na bën të gjithëve më të sigurt"./AA