Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se që para një kohe mbështet publikisht shitjen e avionëve amerikanë F-16 Türkiyes.

 

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në një konferencë të përditshme shtypi.

 

Ai theksoi se anëtarësimi i Suedisë në NATO dhe shitja e F-16 janë dy çështje të ndara.

 

“Tashmë e kemi shpallur publikisht se mbështesim shitjen e F-16-ve Türkiyes dhe këtë e themi edhe në takime private. Megjithatë, sado që nuk e pranojmë, ka një grup anëtarësh të Kongresit që besojnë se duhet të lidhet me çështjen e anëtarësimit në NATO”, tha Miller.

 

Ai vuri në dukje se Suedia "ndryshoi Kushtetutën e saj, miratoi një ligj të ri, arrestoi të dyshuar për terrorizëm dhe vazhdon hetimet" për të lehtësuar shqetësimet e Türkiyes rreth anëtarësimit të saj në NATO.

 

Miller shtoi se besojnë se kjo është e mjaftueshme për të zbutur shqetësimet e Türkiyes dhe se besojnë se ka ardhur koha për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

 

“Megjithatë, nuk dua të bëj ndonjë hamendje, përveçse ne besojmë se kjo duhet të ndodhë në të ardhmen shumë të afërt”, tha Miller.

 

Ai kujtoi se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar tri herë në pesë-gjashtë ditët e fundit me homologun e tij turk, Hakan Fidan.

 

Miller theksoi se do të vazhdojnë të mbështesin synimet e Türkiyes në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe se kjo është një çështje midis BE-së dhe Ankarasë./AA