Anëtarë të FRPD-së, u mblodhën sot përpara godinës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ata kërkuan që SPAK të veprojë jashtë ndikimeve politike.

 

Në një prononcim për mediat anëtari i FRPD-së, Arbër Kola tha se, “SPAK-u është një strukturë, e cila është kthyer në një çekiç të kryeministrit për t’i tërhequr vëmendjen në bazë të dosjeve voluminoze që ka depozituar PD”.

 

“Ne kemi paraqitur një pjesë të mirë të dosjeve, që janë dosja e inceneratorëve, dosja e Teatrit, e patronazhistëve, e AKSHI-t, inceneratorit të Tiranës, Elbasanit, Fierit. I bëjmë thirrje SPAK-ut që të mos jetë më një vegël në dorën e një kryeministri që e shkel ligjin, por të kthehet dhe t’i vërë gishtin kokës për çështjet që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Të dinë të bëjnë punën e tyre. Të dinë t’i dalin për zot ligjit, betimit që kanë bërë, t’i dalin për zot Kushtetutës dhe të mos kthehen në mburojë fasadë të një qeverie mafioze, të inkriminuar, një qeverie të korruptuar”, tha ai.

 

Anëtari i FRPD-së, Endrison Breçani tha se, çështja e inceneratorëve ka arritur kulmin.

 

“Pse SPAK nuk po vepron? Pse SPAK hap vetëm dosjet e peshqve të vegjël. Pse SPAK nuk hap dosjet e mëdha? Pse SPAK hesht dhe nuk është në krahun e popullit, por në krahun e interesave të tyre. SPAK të flasë derisa gjykata të mos jetë më peng i Edi Ramës, por opozita të jetë e lirë siç është. Populli të flasë me votë të lirë dhe të jemi të gjithë në protestë dhe në revolucion”, tha ai.