Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, mblodhi këtë mëngjes Kryesinë e partisë, ku sipas burimeve, ka kërkuar të dijë se si po shkojnë takimet e nisura në bazë nga drejtuesit politikë.

Një çështje tjetër e diskutuar mësohet se ka qenë ecuria e zgjedhjeve për drejtuesit e rinj të organizatave të partisë, me qëllim për t’i dhënë impulse të reja bazës.

Në takimin e mbajtur me dyer të mbyllura morën pjesë edhe drejtuesit e qarqeve dhe disa anëtarë të kabinetit qeveritar.

Në kongresin e 8 dhjetorit është lënë detyra për riorganizimin e PS në funksion për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Muajin e ardhshëm, pritet që Partia Socialiste të mbledhë edhe Asamblenë Kombëtare, ndërsa në muajin prill do të zhvillohen zgjedhjet për delegatët për Kongresin e PS.