Nëse fluksi i turistëve amerikanë gjatë vitit të kaluar në destinacionet kryesore të verës në Evropë – nga riviera franceze në ishujt grekë – ishte një përmbytje me përmasa epike, atëherë kontinentit të vjetër do t’i duhet të presë një cunami gjithëpërfshirës për pjesën tjetër të kësaj vere.
Të ardhurit amerikanë në Evropë këtë verë të çmendur pritet të tejkalojnë shifrat e vitit të kaluar me 55%. Dhe europianët vështirë se do të presin për t’u paketuar në radhët e gjatë dhe të qëndrojnë të shtrënguar mes turmave në destinacionet kryesore.
Për këtë arsye europianët po këshillohen që të marrin në konsideratë pushimet në vende të virgjëra dhe më pak të eksploruara. Këto destinacione në Evropë janë me shumicë dhe ofrojnë bukuri të ngjashme me “hot-spot-et” e turizmit në kontinent.
Dhe një prej këtyre destinacioneve të vendosur në listën e CNN me 10 vende është bregdeti i Shqipërisë.
“Shumë më pak i prekur nga turistët sesa Greqia fqinje në jug ose Italia përtej Adriatikut, vendi në gadishullin Ballkanik është ende një sekret i ruajtur mes udhëtarëve të zgjuar, por nuk ka gjasa të qëndrojë në hije për një kohë të gjatë. Kroatët dhe evropianët në përgjithësi po zbulojnë bregdetin shqiptar“, tha Mandic nga Secret Dalmacia.
“Është e mrekullueshme, është tepër e lirë. Ushqimi, historia, mikpritja, natyra, plazhet, gjithçka është këtu”.
Ndër plazhet për t’u eksploruar përgjatë asaj që quhet riviera shqiptare është Ksamili, pranë kufirit me Greqinë, dhe Himara e Dhërmiu më në veri, ku mund të ushqeheni me pjata të lira me karkaleca deti, oktapod të pjekur në skarë dhe peshq të freskët që vijnë direkt nga deti Jon. E gjithë kjo duke vështruar peizazhin vezullues.
CNN Travel kontaktoi edhe agjentë të tjerë udhëtimi, ekspertë dhe vendasit në Evropë për të mësuar se ku do të shkojnë me pushime, për t’u larguar nga destinacionet e njohura në Itali, Spanjë, Francë, Portugali dhe Kroaci.
“Mendova se viti i kaluar ishte i çmendur, por këtë vit ka edhe më shumë rezervime. Nuk mund ta besoj sa e tjembushur do të jetë Evropa. Çdo qytet i njohur është i mbi rezervuar tani”, tha Tania Sëasbrook, bashkëthemeluese e konsulencës së udhëtimeve luksoze Vgari Lifestyle, në një email për CNN Travel.
Jack Ezon, themeluesi i agjencisë së udhëtimit EMBARK Beyond, tha se ai po këshillon në mënyrë të ngjashme klientët që duan të udhëtojnë në Evropë këtë verë të mendojnë për destinacione të pashkelura më parë.
“Teksa dashuria jonë për pikat e nxehta turistike të Mesdheut në Itali dhe Francë vazhdon, ne kemi inkurajuar të gjithë klientët tanë që ta bëjnë vitin 2023, vitin ku do të zbulojnë diçka të re”, tha ai.