Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, mbështet thirrjen e Komisionit Europianë për dialog mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, kjo është rruga e vetme për zbatimin e marrëveshjes së negociuar përmes BE dhe SHBA dhe normalizimin e situatës.

 

Në një reagim në rrjetet sociale, Meta thekson se është jetike rikthimi në dialog.

 

“E mbështes thirrjen e sinqertë të Kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen për nevojën jetike të rikthimit tek dialogu Kosovë-Serbi dhe zbatimit të plotë, të drejtë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjeve të negociuara përmes BE dhe SHBA, si rruga e vetme për normalizimin përfundimtar të situatës dhe të marrëdhënieve mes dy shteteve”,- thekson Meta.

 

Ish Presidenti bënë thirrje gjithashtu që Serbia të heqi dorë nga veprimet nxitëse të dhunës

 

“Është shumë e rëndësishme që Serbia të heqë dorë nga veprimet nxitëse të dhunës dhe ashtu siç Kosova e ka shprehur vullnetin konstruktiv, t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe të zbatojë marrëveshjet e dakorduara”,- përfundon Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

 

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, në një deklaratë për mediat, ka thënë se ekziston një plan shumë i qartë dhe i përkushtuar për de-përshkallëzimin e situatës në Kosovë, një udhërrëfyes në të cilin të dyja palët kanë punuar në fillim të këtij viti.

 

“Unë u bëj thirrje të dyja palëve të de-përshkallëzojnë dhe t’i përmbahen udhërrëfyesit. Kjo është absolutisht thelbësore për të ecur përpara në mënyrë paqësore”, tha presidentja e Komisionit Europian.