Një 40-vjeçar nga fshati Starovë, Pogradec është vënë në pranga për posedim të një arsenali armësh dhe municion luftarak.

 

 

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin e një stalle bagëtish, e cila ndodhej në afërsi të banesës së tij, u gjetën të fshehura: Një mitraloz i lehtë, një armë zjarri tip automatik, dy pushkë gjysmëautomatike, një sasi e konsiderueshme municioni luftarak, krehra automatiku, pushke dhe mitralozi, 1 gjerdan mitralozi me 30 fishekë, një granatë dore ofensive, pjesë të lëvizshme të pushkës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

 

40-vjeçari A. J dyshohet se këtë arsenal armësh do e trafikonte në drejtim të Maqedonisë së Veriut. Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti të paligjshëm.

 

 

Ky person është me precedent të mëparshëm penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.