Pasi u zbulua së fundmi se agjentja e futbollit, modelja dhe prezantuesja Wanda Nara, ishte shtruar në një spital në Buenos Aires për diçka ‘serioze’, tashmë po thuhet se gruaja e Mauro Icardit është diagnostikuar me leuçemi.

 

 

Jorge Lanata në emisionin e tij në “Radio Mitre” pohoi se disa burime pranë Wanda Narës i kanë konfirmuar se ajo vuan nga leuçemia.  Të mërkurën mbrëma, Nara u dërgua në një qendër mjekësore, pasi ndjeu dhimbje të forta në stomak.

 

Pas kësaj, mjekët vendosën se gjëja më e mirë për të bërë ishte kryerja e të gjitha analizave të nevojshme. Më pas, të premten, mediat lokale raportuan se Wanda Nara ishte transferuar në “Sanatorio de Los Arcos”, në Buenos Aires.

 

 

Ajo është kontrolluar imtësishëm nga stafi mjekësor për të diagnostikuar sëmundjen, shkakun nga vinin shqetësimet e saj abdominale. Lanata pohon gjithashtu se, që kur mori vesh lajmin e tmerrshëm për diagnozën e supozuar të leuçemisë së Narës, partneri i saj Mauro Icardi dëshiron ta dërgojë atë në Itali për trajtim.

 

Icardi ka luajtur pjesën më të madhe të futbollit të tij në Itali dhe është vendi ku ai dhe Nara kaluan pjesën më të madhe të marrëdhënies së tyre, një vend në të cilin ndihen më shumë si në shtëpinë e tyre. Sulmuesi aktualisht është në prag të një transferimi të përhershëm te Galatasaray në Turqi, por duket se dëshiron ta marrë partneren e tij në Itali, pasi është një ambient më familjar.

 

Gjithashtu sipas Lanata, Wanda sapo kishte përfunduar xhirimet e një episodi të “MasterChef” dhe do të udhëtonte në Ibiza për t’u takuar me motrën e saj Zaira dhe nënën Nora Colosimo, por diagnoza tronditëse ka ndryshuar planet e tyre.