Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka publikuar këtë të dielë, historinë e Eva Furrikut. Mjekja nga Puka, e cila u diplomua në Romë, por që është kthyer për të punuar në Shqipëri.

 

“Dr. Eva është mjeke e re, e rikthyer pas studimeve në Universitetin e ‘Tor Vergata’ të Romës, e cila ka vendosur t’i shërbejë qytetarëve të vendit të saj dhe shërbimit shëndetësor publik.

 

Dr. Eva, e cila është vajza e mjekut të nderuar, Dr. Qamil Furrikut, i cili shërbeu për 40 vite si mjek pediatër ne spitalin e Pukës, duke gëzuar respektin e të gjithë komunitetit, emrin e mirë të të cilit, Dr. Eva do ta ruajë e përcjellë, duke i shërbyer me të njëjtin përkushtim e profesionalizëm qytetarëve”, bënë të ditur Manastriliu.

 

Manastirliu në videon e publikuar tregon se ambicia e Evës është të vijoi specializimin, ndërsa ka dhe mundësi të aplikojë përmes portalit “Mjekë për Shqipërinë” për t’u punësuar si mjeke familje.

 

“Me doktoreshë Evën, që pas studimeve në Romë, ka vendosur që të kthehet në Shqipëri dhe pas licencimit, tashmë ajo është e punësuar në muajt e verës në qendrën shëndetësore të Spilles. Menjëherë më pas, ajo do të kandidojë për të marrë specializimin, apo për t’u vendosur si mjeke në familje përmes portalit mjekë për Shqipërinë”, tha Manastirliu

 

Vetë Eva Furriku, tha se ambicia e saj është të specializohet për radiologji. “U ktheva për arsye familjare dhe për ti shërbyer vendit tim. Pasionin e kam trashëguar nga im atë. Mendoj se për specializim, do të zgjedh radiologjinë”, tha Eva Furriku.