Sali Berisha, Kreu i Grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, deklaroi sot se Erion Veliaj, së bashku me Edi Ramën dhe Engjëll Agaçin janë pronarë apo aksionarë kryesorë të djegësit të Tiranës.
Në një deklaratë për mediat, këtë të martë, Berisha ka vijuar me akuza të tjera për çështjen e inceneratorëve.
“Shtojmë këtu se afera e djegësit të Tiranës, për të cilin janë shpenzuar 104 milionë dollarë gjer më sot dhe nuk është ndërtuar asgjë, shkon si vjedhje në 30 vite rreth 680 milionë euro, apo mbi 10 herë më e madhe se vjedhjet me djegësin e Elbasanit dhe Fierit të marra së bashku. Erion Veliaj provohet nga dokumente zyrtare se është iniciatori i propozimit të djegësit të Tiranës, jo si investim publik siç është djegësi i Elbasanit dhe Fierit, por si koncesion privat për arsyen e vetme se Rama, Veliaj dhe Agaçin donin që këtë sipërmarrje të tyre ta vilnin dhe milnin jo për 7 apo 10 vite, por fiks për 30 vite, madje siç është me koncesione, me mundësi zgjatje pas 30 vitesh. Pra, mendonin edhe për pasardhësit e pasardhësve të tyre”, tha Berisha.
“Sepse vetëm me afatin 30-vjeçar, ata do mund të inkasonin në ndërmarrjen e tyre 680 milionë euro.
Erion Veliaj është pronar kryesor bashkë me Edi Ramën dhe Engjëll Agaçin, sepse ai për t’i hapur rrugën koncesionit të sipërmarrjes së tyre kaloi te Mërtiri dhe Zoto, ndërmarrjen Eko Tirana, në pronësi të Bashkisë së Tiranës”, vijon akuzat Berisha.
“Erion Veliaj së bashku me Ramën dhe Agaçin janë pronarët kryesorë të djegësit të Tiranës, Lali Vjedhësi i drejtohet katër herë me letra, Ministrisë së Financave, që t’ia aprovojë kalimin në koncesion të djegësit të Tiranës. Ish-ministri Shkëlqim Cani e refuzon në mënyrë të prerë. Pas tij, e refuzon 3 herë të tjera Arben Ahmetaj dhe herën e katërt, Ahmetaj lan duart si Pilati, kur i shkruan ‘no koment’ se kjo është kompetencë e qeverisë vendore”, akuzon Berisha.
|A mund të imagjinojë një njeri, që sot pas 6 vitesh dhe shpenzimeve të 104 milionë eurove nga taksapaguesit dhe sektorit privat për këtë djegës, nuk është ndërtuar asnjëri nga objektet e tij. Megjithatë, Erion Veliaj taton qytetarët e Tiranës me tarifën 29 euro. Tarifë kjo në kundërshtim flagrant me kontratën.”, përfundon Berisha.