Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, përmes një shkrese dërguar të enjten, i kërkon Gjykatës Kushtetuese, që seanca për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë, të zhvillohet e hapur për publikun.

Në shkresën drejtuar këtij institucioni dhe që mban firmën e kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, argumentohet fakti se seanca duhet të jetë e hapur për mediet dhe publikun, pasi mbart një rëndësi të veçantë.

Në shkresën e dorëzuar nga Bardhi, argumentohet se “…në praktikën e konsoliduar të Gjykatës të gjitha çështjet me kërkesë jo më pak se 1/5 e deputetëve janë zhvilluar në seancë plenare publike për shkak se mbartin një interes të veçantë publik”, thuhet në shkresë.

“Për më tepër, në përmbajtje të kërkesës, kërkuesit kanë arsyetuar gjerësisht se Këshilli i Ministrave të Shqipërisë veproi në mungesë konsultimit dhe transparence në fazën e negocimit dhe nënshkrimit të kësaj marrëveshje qoftë me aktorët institucionalë vendas, qoftë me ata ndërkombëtarë, ashtu edhe me median, shoqërinë civile dhe qytetarët”, vijon argumentimi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, që në fund kërkon që seanca në fjalë të jetë publike.

 

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që seanca për kërkesën e depozituar nga Grupi Parlamentar Demokratë do të mbahet më 18 janar ora 10:00./ata