Policia e Shtetit ka zbarkuar ditët e fundit në banesën e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja për gjetjen e 6 personave të shpallur në kërkim për dhunën ndaj dy kushërinjve Jashar dhe Bilbil Maja.

 

Mësohet se pas përfundimit të procedurave të lënies së mandatit të deputetit, policia bëri kontroll me vendim gjykate.

 

Burime bëjnë me dije se brenda banesës së Rrahman Rrajës nuk janë gjetur sende të jashtëligjshme, por as personat e shpallur në kërkim, djali Rexhep Rraja, vëllezërit Flamur dhe Xhelal Rraja, Përparim Rraja, Klajdi Rraja dhe Edison Meta.

 

Në vijim, policia ka kryer edhe kontrolle të tjera për arrestimin e tyre, por asnjëri nuk është lokalizuar. Aktualisht të gjithë figurojnë brenda vendit, por kjo nuk e përjashton mundësinë e një largimi në mënyrë të jashtëligjshme.

 

Rahman Rraja dorëzoi zyrtarisht në Kuvend dorëheqjen si deputet i Partisë Socialiste, pas publikimit të një videoje, ku shfaqeshin vëllezërit e tij, i biri dhe anëtarë të tjerë të fisit Rraja duke dhunuar barbarisht dy kushërinjtë, Jashar dhe Bilbil Maja.